3636 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • 05 March 2019
  • SHARE
  • PRINT

Hapen zyrtarisht Javët e Frankofonisë në Kosovë, Prishtina dhe pesë qytete të Kosovës me aktivitete të shumta

Prishtinë, 5 mars 2019 – Me anë të një Konference të Përbashkët për Media në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në praninë e përfaqësuesve të lartë nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe përfaqësuesit e Ambasadave frankofone në Kosovë janë hapur edhe zyrtarisht Javët e Frankofonisë në Republikën e Kosovës.

Hapja zyrtare u bë nga Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së punëve të Jashtme, Ambasador Albert Prenkaj, dhe zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, znj Burbuqe Berisha, nga ana e Kosovës, ndërsa nga ana përfaqësuesve të pranishëm nga shtetet frankofone me fjalimet e tyre u prezantuan, Ambasadori i Republikës franceze në Republikën e Kosovës, z. Didier Chabert, ai i Konfederatës zvicerane, Jean-Hubert Lebet, dhe Shefi i Misionit belg në Kosovë, z. Jean-Louis Servais.

“Është kënaqësi për mua t’ju mirëpres sot këtu, në Ministrinë e Punëve të jashtme, për të hapur zyrtarisht Javët e Frankofonisë.  Falënderoj ambasadën e Francës, Zvicrës dhe të Luksemburgut, Zyrën Ndërlidhëse të Belgjikës, dhe veçanërisht Aleancën franceze, që kanë bërë të mundur që edhe këtë vit filma, shfaqje teatrale, konferenca, takime letrare e koncerte të zbukurojnë këtë vend me tingujt e bukur të gjuhës frënge”, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ambasador Prenkaj.

“Çfarë e bën këtë ngjarje edhe më të veçantë këtë vit për dallim nga viti i kaluar, është se sot, Kosova mirëpret Javët e Frankofonisë si anëtar i asocuar i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, dhe si anëtar vëzhgues në Kuvendin Parlamentar të Frankofonisë. Kjo nuk mund të ishte arritur asnjëherë pa mbështetjen Tuaj të fuqishme, andaj shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj përsëri”, ka shtuar ai.

Në vazhdim, në lidhje me bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Organizatën e Frankofonisë si dhe aktivitetet e shumta, që priten të mbahen në vendin tonë kanë folur edhe Ambasadori, francez Chabert, ai zviceran Lebet dhe përfaqësuesi i Misionit belg në Kosovë, Servais.

Javët e frankofonisë këtë vit fillojnë nga data 5-31 mars, 2019 në Prishtinë dhe pesë qytete tjera të Kosovës. Ngjarjet e planifikuara, si pjesë e Javës së Frankofonisë organizohen në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Kulturës së Rinisë dhe Sportit dhe në bashkëpunim me ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike të Belgjikës, Zvicrës, Luksemburgut, Hungarisë, Republikës Çeke si dhe Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Qendra Universitare Frankofone.

Kosova është pjesë e Organizatës Botërore të Frankofonisë (OIF) prej nëntorit të vitit 2014 dhe për  më shumë se katër vite është bërë progres i  jashtëzakonshëm në përafrimin me strukturat dhe programet e kësaj Organizate. Në Samitin e 17-të të Frankofonisë, që u mbajt në tetor të vitit të kaluar në Jerevan të Armenisë, shtetet anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë votuan unanimisht, që Republikës së Kosovës t’i avancohet statusi i saj në këtë organizatë, nga ai vëzhgues në atë anëtar i asociuar.

Foto Galeria