3786 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

MPJ fton shtetasit e Kosovës që mundësisht të shmangin udhëtimin nëpër Serbi

Prishtinë, 6 janar 2020 – Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës njofton të gjithë shtetasit kosovarë, me vendbanim në Republikën e Kosovës apo jashtë kufijve të saj, që të shfaqin kujdes të shtuar dhe maturi, në rast se nuk munden të shmangin qarkullimin nëpër territorin e Serbisë.

Në përputhje me obligimin institucional dhe ligjor për të informuar publikun dhe për tu kujdesur për sigurinë dhe integritetin e secilit qytetar të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se Serbia nuk është më një territor i cili ofron as siguri minimale për integritetin fizik dhe juridik të shtetasve të Republikës së Kosovës, në veçanti ndaj shqiptarëve. Për rrjedhojë, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës sugjeron shtetasit kosovarë të evitojnë përkohësisht qarkullimin përmes territorit të Serbisë.

Qytetarë të dashur, dëshirojmë të kemi vëmendjen tuaj, pasi që ky njoftim vije si rezultat i arrestimeve të vazhdueshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga ana e autoriteteve të Serbisë, gjithmonë në rrethana fiktive. Një numër i shtetasve kosovarë madje edhe janë keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht.

Bazuar në këto zhvillime, Ministria e Punëve të Jashtme ka bazë dhe evidencë të mjaftueshme të konstatoj që ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, Serbia, pa përjashtim, për qëllime politike dhe qëllime tjera jodemokratike, në kundërshtim me praktikën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane, si dhe në kundërshtim më obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit, jashtëligjshëm, mund t’ju ndaloj arbitrarisht kalimin në territorin e saj.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe të gjitha institucionet e vendit i kanë ftuar dhe vazhdojnë t’i ftojnë institucionet e Bashkimit Evropian, dhe jo vetëm, që të korrigjojnë këtë sjellje agresive të Serbisë, por që fatkeqësisht deri më tani kjo nuk ka pasur asnjë efekt. Ndryshe nga këto praktika primitive të Serbisë, Republika e Kosovës vepron në formë të matur, të civilizuar dhe demokratike, dhe për dallim, nuk i trajton qytetarët e Serbisë në forma joligjore dhe jodemokratike, për aq kohë sa ata nuk janë të lidhur me krimin, dhe i respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës.

Ftojmë Serbinë, që përfundimisht të heq dorë nga praktikat fashiste, dhe të pranoj faktin që është pjesë e kontinentit evropian, ku liria e lëvizjes është e drejtë universale e secilit, dhe respektohet pavarësisht agjendave politike.

Për shkak të arrestimeve dhe maltretimeve të kryera nga policia serbe dhe në disa raste racizmit të treguar edhe prej qytetarëve serbë, ky njoftim është i njëjtë me Komunikatën e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme më 31 maj 2019, dhe mbetet në fuqi në lidhje me këtë çështje deri në një njoftim tjetër.

Foto Galeria