3806 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Betohen diplomatët e rinj të Shqipërisë, të pranishëm edhe ministrat Cakaj e Pacolli

Tiranë, 27 janar 2020 – Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme, z.Behgjet Pacolli, mori pjesë në ceremonië e Aktit të Betimit të diplomatëve të rinj të Republikës së Shqipërisë, që u zhvillua të hënën, në Tiranë, nën kujdesin e veçantë të Ministrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z.Gent Cakaj.

Nëntë diplomatë të rinj, gjenerata e diplomatëve 2019, të pagëzuar me emrin gjenerata “Sami Frashëri”, u betuan në prani të ministrit Cakaj dhe ministrit Pacolli, i cili njëherësh ishte edhe Mentor i kësaj gjenerate, si dhe kolegëve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Pas interpretimit të Himnit kombëtar, diplomatët e rinj shqiptarë, u betuan sipas formulës së shprehur në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, për t’i shërbyer interesave të popullit dhe atdheut.

Ministri Pacolli vlerësoi ripërtëritjen e kuadrit diplomatik të Shqipërisë, qëllimi i të cilës është rritja e cilësisë së përfaqësimit nëpër botë, por edhe ngritja e profesionalizmit të shërbimit diplomatik shqiptar.

Ndërsa Ministri Cakaj tha se këta diplomatë po i bashkohen shërbimit të jashtëm në një moment kyç për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të shtetit dhe të kombit shqiptar, si dhe shprehu besimin se ata do të bëhen pjesë aktive e sfidave me të cilat përballet shërbimi i jashtëm shqiptar veçanërisht për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE, kryesimin e OSBE-së dhe përpjekjeve për t’u ulur për herë të parë në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2022.

Tashmë një traditë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, gjenerata “Sami Frashëri” ishte gjenerata e pestë që kryen ceremoninë e Aktit të Betimit. Gjenerata e parë, në vitin 2015 u quajt “Urdhri i Skënderbeut”; gjenerata e dytë, u emërtua gjenerata “Rauf Fico”; duke vijuar me gjeneratën e vitit 2017, “Ismail Qemali”, si dhe gjenerata e vitit 2018 që mban emrin “Fan Noli”.

 

Foto Galeria