3816 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Në MPJ u bë dorëzim-pranimi i detyres ministrore

Prishtinë, 4 shkurt 2020 – Ministri i ri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca, të martën pranoi detyrën ministrore nga tashmë ish-ministri i Punëve të Jashtme, z.Behgjet Pacolli, i cili gjatë mandatit të kaluar qeverisës, mbante njëherësh edhe pozitën e Zëvendëskryeministrit të Parë të Republikës. 

Pas ceremonisë së dorëzim - pranimit të detyrës ministrore, të mbajtur në Sallën e Konferencave të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ish-ministri Pacolli dhe ministri Konjufca u prononcuan për media.  

Ish-ministri Pacolli tha se ka nderin ta përshëndes mikun e tij, tashmë ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Ai shprehu besimin e tij se ministri Konjufca do ta kryej punën edhe mirë edhe me përgjegjësi, ndërsa tha se do të vazhdojë të kontribuojë gjithmonë për shtetin e Kosovës. 

“Kam punuar me të gjitha kapacitetet e mia, kam bërë aq sa kam mundur dhe sa kam ditur. Asgjë nuk kam kursyer. Këtu i keni të dokumentuara të gjitha ato që kam bërë, bashkë me rekomandimet”, tha ish ministri Pacolli derisa ia dorëzoi raportin pasardhësit të tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ministri i ri, z.Konjufca, gjatë fjalës së tij të shkurtër, tha se është i gëzuar që po merr drejtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe i nderuar që është i mirëseardhur nga paraardhësi i tij, z.Pacolli dhe stafi i Ministrisë. 

Shefi i ri i diplomacisë kosovare tha se akti i dorëzimit me ceremoni është tregues se shteti i Kosovës po maturohet. “Ndryshimi demokratik i pushtetit ndodh në krejt botën, dhe në këtë kuptim duhet ta përshëndesim një akt të tillë”, tha ministri Konjufca duke falenderuar ish-ministrin Pacollin për punën që ka bërë gjatë mandatit të tij.

Pas përfundimit të ceremonisë së dorëzim-pranimit të detyrës ministrore, z.Konjufca dhe z.Pacolli, kanë zhvilluar edhe një takim pune së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Drejtorin e Përgjithshëm dhe drejtorët e departamenteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme. 

Foto Galeria