3848 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

MPJD kërkon që Serbia të respektojë të drejtën e lëvizjes së lirë

Prishtinë, 6 mars 2020 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të bindin Beogradin zyrtar për të ndalë fabrikimin e akuzave, maltretimet dhe arrestimet e pabazuara, me të cilat në vazhdimësi përballën shtetasit e Republikës së Kosovës, gjatë udhëtimit nëpër territorin e Republikës së Serbisë. 

Shkas për këtë deklaratë, është vazhdimi i paraburgimit nga autoritetet serbe për shtetasin kosovar, z. Nezir Mehmetaj, i cili u arrestua nga policia serbe më 4 janar, në pikën kufitare në Merdare, derisa po kthehej  nga Zvicra në Kosovë, me pretekstin se dyshohet për krime lufte.

Zyra Ndërlidhesë e Republikës së Kosovës në Beograd është përpjekur për të siguruar lirimin e z. Mehmetaj, familja e të cilit ka angazhuar një avokat lokal, mirëpo në vend të lirimit, Prokuroria serbe ia ka zgjatur paraburgimin, duke dëshmuar edhe njëher se Drejtësia serbe e ka të pamundur të tregohet e paanshme ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës.   

z. Mehmetaj vizitohet në baza javore nga Zyra Ndërlidhese e Republikës së Kosovës në Beograd. Poashtu, pas njoftimit nga Zyra Ndërlidhëse, Zyra e Përfaqesuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së ka bërë të ditur se është duke ndjekur nga afër rastin në fjalë.

Kjo praktikë e autoriteteve serbe është në kundërshtim edhe me Marrëveshjen e Brukselit. 

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës do të mbetet e angazhuar në mënyrë aktive për të siguruar lirimin e z. Mehmetaj dhe kthimin e tij në familje.

Serbia duhet, të ndalojë me përndjekjet dhe arrestimet politike të shtetasve të Kosovës, të respektojë të drejtat elementare të njeriut, njëra prej të cilave është edhe e drejta e lëvizjes së lirë.

Foto Galeria