3856 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

MPJD demanton raportin e Federatës Ruse për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë

Prishtinë, 6 mars 2020 - Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Republikës së Kosovës kundërshton raportin e publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse  mbi "Situatën e të Drejtave të Njeriut në vende të caktuara", veçanërisht të dhënat rreth Kosovës, meqë ky raport ështe i pabazuar në fakte, i njëanshëm, tendencioz dhe dezinformues.
 
Deklarata e publikuar në raportin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, sipas së cilës OJQ-ja serbe e Kosovës "Aktiv"  kishte raportuar se "midis shtatorit 2017 dhe shtatorit 2018 kanë ndodhur më shumë se 50 vrasje të serbëve të Kosovës", është plotësisht e pasaktë. Vetë OJQ Aktiv në ragimin e saj, të datës 3 mars 2020, ka kontestuar deklaratën e MPJ-së të Federatës Ruse, duke u shprehur se "bëhet fjalë për një keq interpretim nga ana e MPJ-së të Rusisë të një raporti të OJQ-së Aktiv të lëshuar në mars 2019".
 
Marrë parasysh peshën politike të një deklarate të tillë dhe ndikimin e mundshëm në marrëdhëniet mes komuniteteve, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin për publikimin e një deklarate të tillë, që për qëllim ka shtrembërimin e së vërtetës.
 
Ashtu siç mund të konstatohet në raportet semestrale të Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë para Këshillit të Përgjithshëm të OSBE-së, përfshirë edhe në raportin e fundit të 5 mars 2020, në përshkrimin e incidenteve që prekin komunitetet, incidentet me motive etnike janë të pakta. Në fakt, theksohet se natyra e përgjithshme e incidenteve, që prekin komunitetet jo-shumicë ka të bëjë me natyrë ordinere dhe jopolitike (vjedhje, mbishkrim në mure). Në krahasim me gjashtë muajt e kaluar (Janar-Qershor 2019) dhe të njëjtën periudhë të një viti më parë (Korrik - Dhjetor 2018), mund të konstatohet një trend pozitiv, meqë numri i përgjithshëm tregon një ulje të rasteve.
 
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Republikës së Kosovës fton Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse si dhe përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë të mos përhapin dezinformata lidhur me gjendjen e komuniteteve, meqë një gjë e tillë nuk kontribuon në krijimin e marrëdhënieve të mira mes komuniteteve, mirëbesimit mes tyre si dhe integrimin e komunitetit serb në jetën shoqërore dhe politike të Kosovës.
 

Foto Galeria