3999 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Kosova përkrah SHBA-ve dhe BE-së, thirrje për një qeveri gjithpërfshirëse në Venezuelë

Prishtinë, 14 gusht 2020 - Ne, një grup i vendeve të brengosura përfshirë anëtarët e Grupit Lima, Grupit Ndërkombëtar të Kontaktit, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të tjerët, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Venezuelës, pavarësisht nga prirjet ideologjike dhe përkatësitë partiake, qofshin ato civile apo ushtarake, që të vënë interesat e Venezuelës mbi politikën dhe të angazhohen në mënyrë urgjente në mbështetje të një procesi të realizuar dhe të udhëhequr nga qytetarët e Venezuelës për të krijuar një qeveri gjithëpërfshirëse tranzicionale që do të shpie vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme presidenciale, sa më herët. Vetëm zgjedhjet për Asamble Kombëtare nuk paraqesin një zgjidhje politike dhe përkundrazi mund të polarizojnë edhe më tej këtë shoqëri tashmë të ndarë. 

Ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të shtetit të Venezuelës që të marrin pjesë në një proces të tillë. Venezuelasit dhe bashkësia ndërkombëtare kanë vendosur propozime në tryezë me qellim të arritjes së këtij qëllimi. Një proces i tillë duhet të përfshijë kapacitetet e Asamblesë Kombëtare për të kryer plotësisht funksionet e saj dhe rivendosjen e pavarësisë së Gjykatës Supreme dhe Këshillit Kombëtar Zgjedhor. Diskutimet dhe përparimi i arritur gjatë bisedimeve të udhëhequra nga Norvegjia në Barbados gjithashtu duhet të na informojnë rreth hapave të mëtutjeshëm. 

Ne dëshirojmë të ritheksojmë gatishmërinë e të gjitha atyre vendeve që kane vendosur sanksione ekonomike, për të diskutuar ne lidhje me lehtësimin e sanksioneve duke marr parasysh kontekstin e përparimit politik. 

Situata humanitare, sociale dhe politike në Venezuelë vazhdon të përkeqësohet, duke nënvizuar nevojën për një proces politik paqësor dhe gjithëpërfshirës që do të rivendosë demokracinë dhe do ta shpie vendin në rrugën e rimëkëmbjes. Pandemia aktuale dhe sistemi i mbingarkuar i kujdesit shëndetësor publik të Venezuelës kanë shtuar urgjencën rreth nevojës për t'i dhënë fund status quo-së. Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë përpjekjet tona për të ndihmuar qytetaret e Venezuelës që përballen me pandeminë dhe krizën e mëparshme humanitare mbi bazën e nevojës dhe jo të përkatësisë politike. 

Ne u bëjmë thirrje që t'i jepet fund të gjitha përndjekjeve politike dhe akteve të represionit. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut, akterët humanitarë, punonjësit shëndetësor, gazetarët, anëtarët e bashkësive indigjene të Venezuelës, anëtarët e Asamblesë Kombëtare nën udhëheqjen e Juan Guaido dhe populli i Venezuelës në përgjithësi janë përballur me shtypje të shtuar në Venezuelë. 

Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve në Venezuelë të përfshihen menjëherë, ose të mbështesin një proces, i cili do të krijojë një qeveri kalimtare gjerësisht të pranueshme, e cila do të administrojë zgjedhjet të lira dhe të ndershme presidenciale në një të ardhme të afërt dhe do të filloj ta shpie vendin në një rrugë drejt rimëkëmbjes. Në mënyrë që te kemi një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme të krizës duhet një qeveri kalimtare për të administruar zgjedhjet presidenciale, në mënyrë që asnjë kandidat të mos ketë një avantazh jo te duhur ndaj të tjerëve. 

Një tranzicion i shpejtë dhe paqësor drejt demokracisë është rruga më efektive dhe e qëndrueshme për stabilitetin, rimëkëmbjen dhe prosperitetin në Venezuelë. Ne mbetemi të përkushtuar t'i ndihmojmë popullit të Venezuelës të arrijë një të ardhme paqësore, të prosperuar dhe demokratike.


 

 

Foto Galeria