4118 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Ministrja Haradinaj-Stublla takoi drejtoreshën e Zyrës së IOM-it Anna Rostocka, MPJD po punon për të krijuar mundësi që popullata jonë e re të mbetet në Kosovë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla, ka takuar sot drejtoreshën e Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM), Zyra për  Kosovë, znj. Anna Rostocka.

Duke kujtuar faktin se Kosova ka një diasporë të madhe në botë, si pasojë e situatës së vështirë nën ish Jugosllavi dhe luftës në fund të viteve të 90-ta, kryedipolomatja Haradinaj-Sublla ka shprehur vullnetin për të thelluar bashkëpunimin edhe më tej me organizatat ndërkombëtare, në këtë rast me IOM.

“Ne e vlerësojmë punën e IOM-it në Kosovë dhe disa projekte të saj në mbështetje të migrimit të shëndetshëm”, ka deklaruar Ministrja Haradinaj-Stublla, duke shtuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke u angazhuar në drejtime të ndryshme për të tërhequr investime dhe për të krijuar mundësi për qytetarët e saj në Kosovë.

“Ne jemi duke ndërtuar programe për Diplomacinë Ekonomike dhe jemi në marrëveshje negociuese për investime që do të jenë një impuls që popullata jonë e re të mbetet në Kosovë”, tha Ministrja.

Në këtë takim është diskutuar edhe për kthimin dhe riintegrimin e ndihmuar vullnetar, me ç’rast Ministrja Haradinaj-Stublla ka theksuar se këtë vit nuk ka pasur numër të madh azilkërkuesish nga Kosova, dhe se institucionet po punojnë vazhdimisht për t’i informuar qytetarët për kushtet e azilit.

Foto Galeria