4315 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Kosova dhe Shqipëria harmonizojnë kalendarin e aktiviteteve të përbashkëta në diplomacinë publike


Prishtinë, 26 shkurt 2021 - Grupi i Përbashkët Punues i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në takimin e parë të mbajtur të premten në Prishtinë, është dakorduar për harmonizimin e kalendarit të aktiviteteve në fushën e diplomacisë publike.

Kryesuar nga znj. Mira Hoxha, Drejtore e Drejtorisë së Diplomacisë Publike dhe Diasporës në MEPJ të Shqipërisë dhe z.Valdet Sadiku, Drejtor i Departamentit për Marrëdhënie Rajonale në MPJD të Kosovës, Grupi i Përbashkët Punues është dakorduar që disa nga ngjarjet historike si:  17 janari - Përkujtimi i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu; 17 shkurti - Dita e Pavarësisë së Kosovës; 10 qershori - Shënimi i Lidhjes së Prizrenit; 28 nëntori - Dita e Flamurit, dhe të tjera ngjarje me rëndësi, të jenë të përbashkëta kudo në diasporë dhe të organizohen në bashkëpunim nga titullarët e përfaqësive diplomatike në shtetet pritëse. 

Grupi i Përbashkët Punues është pajtuar po ashtu që nga ky vit, Edicioni i mirënjohur tashmë “Colours of Albania”, të bashkë-organizohet nga të dy ministritë e jashtme, tani e tuje me emërtimin “Colours of Albanians”, në mënyrë që të promovojë jo vetëm turizmin dhe kulturën në të dy vendet, por në të gjitha trojet shqiptare, dhe në veçanti të rrisë interesin shumëdimensional tek të huajt mbi Kosovën dhe Shqipërinë.   

Po ashtu është rënë dakord që të ketë të paktën njëherë në vit një aktivitet artistik me artistë nga Shqipëria dhe Kosova; që përfaqësitë diplomatike të thellojnë angazhimin në fushatën e shpërndarjes së librave për shkollat shqipe, të ketë fushatë të përbashkët për krijimin/pasurimin e bibliotekave të unifikuara në shkollat e mësimit të gjuhës shqipe, etj.        

Përveç “Colors of Albanians” dhe harmonizimit të kalendarit për aktivitete të tjera të përbashkëta, Grupi Punues është dakorduar që brenda marsit të shkëmbejë legjislacionin përkatës në fuqi, në mënyrë që të krijohen mundësitë edhe për hapjen e qendrave kulturore të përbashkëta në diasporë.

Grupi i Përbashkët Punues vendosi që takimi i radhës të mbahet së shpejti në Tiranë, duke vlerësuar se Marrëveshja e dy ministrive “Mbi bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme” – zbatimi i “Protokollit Zbatues për bashkëpunim në fushën e diplomacisë kulturore”, do të zvogëlojë koston e shpenzimeve, që janë bërë deri më tani për aktivitete të ngjashme nga të dy palët, do të mbrojë edhe më mirë interesat e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe do t’i bashkojë edhe më shumë shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve të tyre. 

 

Foto Galeria