4397 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Ministrja Gërvalla priti në Prishtinë homologun e saj Dendias, avancojnë statusin e Zyrës së Kosovës në Greqi

Prishtinë, 4 qershor 2021 - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës znj. Donika Gërvalla, ka pritur sot në vizitë zyrtare në Prishtinë, Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Nikos Dendias.

Duke e falënderuar për vizitën në Republikën e Kosovës, ministrja Gërvalla e ka njoftuar homologun e saj grek lidhur me prioritetet e qeverisë së re duke vendosur theksin në zhvillimet në politikën e jashtme.

“Greqia është një fqinj i rëndësishëm në rajon dhe, si anëtare e BE-së dhe NATO-s, jep një kontribut të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore. Me Greqinë ndajmë mendimin që integrimi në BE dhe NATO janë hapat më të rëndësishëm për stabilizimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që duke ndërtuar një perspektivë të shëndoshë evropiane dhe transatlantike të mund të lëmë përgjithmonë prapa përvojat e këqija të dekadave të fundit”, ka thënë ministrja Gërvalla.

Në takim është diskutuar lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes të dyja vendeve, shkëmbimet tregtare dhe nevojën për të thelluar atë, por edhe për të zgjeruar formën e bashkëpunimit në fusha të tjera si kultura, shkenca, arsimi dhe shëndetësia.

Republika e Kosovës dhe Republika Helenike janë pajtuar që, si një hap i mëtejshëm drejt një shkëmbimi të ngushtë dhe të dendur, të ngrenë statusin e Zyrës së Kosovës në Athinë nga një zyrë e thjeshtë ekonomike në një zyrë që do të emërtohet ndryshe, zyrë interesi me qasje jo vetëm ekonomike, por edhe politike.

Ministrja Gërvalla ka theksuar në takim se njohjen dhe respektimin e pavarësisë së vendit nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, përfshirë Greqinë, e konsideron si një kontribut thelbësor për stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkan.

“Pavarësia e Kosovës është një fakt i patjetërsueshëm. Sa më parë që të pranohet një fakt i tillë, aq më shpejt sigurohet një perspektivë e qëndrueshme për rajonin, Kosovën, por edhe Serbinë. Duke pasur parasysh faktin se Greqia pavarësinë e Kosovës e sheh deri tani nga një këndvështrim tjetër, ne riafirmojmë se me Greqinë dhe gjithashtu me partnerë të tjerë në BE dhe jashtë saj do të vazhdojmë intensivisht dialogun rreth kësaj çështjeje”, ka plotësuar ajo.

Në takim u diskutua edhe për perspektivën evropiane të Kosovës. Me këtë rast ministrja Gërvalla falënderoi kryediplomatin grek për qasjen konstruktive të Greqisë në raport me rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave.

Foto Galeria