4455 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Përfaqësuesi regjional i ONF-së për Evropën Qendrore dhe Lindore qëndroi për vizitë pune në Kosovë


Prishtinë, 26 gusht 2021 – Udhëheqësin Regjional i Organizatës së Frankofonisë (ONF) për Evropën Qendrore dhe Lindore, z. Eric Poppe, gjatë tre ditëve të qëndrimit në Kosovë, ka realizuar takime përmbajtësore të cilat përçuan imazh shumë pozitiv, të ngrohtë dhe të hapur për intensifikim të bashkëpunimit dhe të projekteve të reja në fushën e gjerë të Frankofonisë.

Gjatë vizitës së tij tre-ditore, z.Poppe zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me përfaqësues të disa ministrive të tjera dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës, takime këto që u vlerësuan si shumë të dobishme për realizimin e projekteve të reja me perspektiva të qarta dhe afatgjate. 

Z.Poppe ishte edhe mysafir nderi në Konferencën “Diplomacia Sportive”, në kuadër të Klubit të Diplomatëve Frankofonë në Kosovë, të organizuar nga Ambasada e Francës dhe Akademia Diplomatike e Republikës së Kosovës.

Me një fjalë rasti, hapjen e kësaj Konference e bëri drejtori i Akademisë Diplomatike, Ambasadori Sabri Kiqmari, ndërsa zv. Presidentja e Klubit të Diplomatëve frankofonë, njëherit edhe koordinatore nacionale e ONF-së për Kosovë, znj. Aromë Demiri, njoftoi të pranishmit për sukseset e sportit në Kosovë si çelës për diplomacinë publike të vendit tonë. 

Krahas rëndësisë së aktiviteteve sportive dhe arsimore të cilat vendin tonë në shumë raste e ngjitën në shkallët e fituesve të medaljeve të arta botërore, ajo vuri në pah edhe angazhimin e Institucioneve të Republikës së Kosovës për promovimin e multilinguizmit si vlerë universale njerëzore.

Përfaqësuesi regjional i ONF-së, z. Poppe, ka ofruar mbështetje për të gjithë akterët frankofonë të cilët zhvillojnë aktivitetet e tyre në Republikën e Kosovës. Theks të veçantë ai i kushtoi fushës së arsimit. Në këtë kontekst, ai bëri ftesë që vendi ynë të bëhet pjesë e Memorandumit të Partneritetit me CREFECO/ONF për të mundësuar që institucionet dhe shoqatat frankofone të arsimit, të cilat veprojnë në Kosovë të jenë gjithnjë pjesë e zhvillimeve më të reja dhe të kenë qasje në perspektivat afatgjate që ofron kjo organizatë.

Kjo vizite u mundësua nga Departamenti për Organizata Ndërkombëtare i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.

Foto Galeria