4533 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Kosova dhe Franca thellojnë bashkëpunimin kulturor, nënshkruhet marrëveshja mbështetëse mes ministrive dhe ambasadës franceze

Prishtinë, 16 nëntor 2021 - Republika e Kosovës dhe ajo e Francës kanë thelluar bashkëpunimin ndërshtetëror, duke nënshkruar Deklaratën për Shprehje të Interesit që synon krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme, strategjike dhe territoriale mes dy vendeve.

Zotimi është nënshkruar nga zëvendësministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Liza Gashi, ministri i Kulturës z.Hajrullah Çeku, ministrja e Arsimit znj.Arbërie Nagaci dhe ambasadorja e Francës në Kosovë znj. Marie-Christine Butel.

Marrë parasysh frymën e bashkëpunimit ekzistues ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës, si dhe aderimin e Kosovës si anëtare e asociuar pranë Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë në tetor të vitit  2018,  palët janë shprehur të gatshme të zgjerojnë bashkëpunimin për ta forcuar këtë lidhje.

Me këtë marrëveshje pala kosovare dhe ajo franceze kanë shprehur interesin për të  mbështetur projekte dhe organizime të ndryshme mes Kosovës e Francës, me mjete konvencionale, financiare dhe njerëzore, brenda një kalendari 2022 – 2024.

Projektet i përkasin fushës së kulturës, diplomacisë kulturore dhe arsimit.

Paraqitja në Festivalin e Kanës, në festivalin në Avingon dhe partneriteti me La Manufucture janë vetëm disa nga projektet që synohet bashkëpunimi mes Kosovës dhe Francës madje edhe në bashkëprodhim të filmave.

Një pikë e rëndësishme gjithashtu është mbështetja e industrisë kreative evropiane dhe territoriale, në veçanti nga Ambasada e Francës në Kosovë, dhe Ambasada e Kosovës në Francë, për të mirën e projekteve të para të bashkëpunimit (Horizon Europe / ENFORCE, Creative Europe / Les Jardins de la Paix , Reflektimet e para territoriale (në Hauts-de-France ...), në dobi të bashkëpunimit dhe 'binjakëzimit'.

Kosova në vitin 2014 u bë anëtare vëzhguese e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe që atëherë filloi një politikë proaktive për të promovuar rrezatimin e gjuhës frënge në vend.

Në vitin 2017, Universiteti i Prishtinës u anëtarësua në rrjetin e Agjencisë Universitare të Frankofonisë dhe të njëjtin vit, Shkolla Ndërkombëtare Franceze e Prishtinës hapi dyert e saj.

Në vitin 2018, Kosova u bë anëtare e asociuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe Ambasada Franceze bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës filloi një program të mësimit të gjuhës frënge për zyrtarë dhe diplomatët kosovarë.

Gjithashtu është funksionale edhe Iniciativa Frankofone Nacionale 2019-2022 (IFN), program ky i bashkë financuar me 50% në mes Qeverisë së Kosovës dhe Organizatës së Frankofonisë dhe qëllimi i tij është ngritja e kompetencave të gjuhës frënge me objektiva  specifike.

Foto Galeria