4550 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Gërvalla në Preshevë, zotohet për sensibilizim ndërkombëtar lidhur me shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës nga Serbia

Preshevë, 16 dhjetor 2021 - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diapsorës, znj. Donika Gërvalla, gjatë vizitës në Preshevë, u prit në takim nga e para e kësaj komune, kryetarja Ardita Sinani dhe zëvendës kryetari Ragmi Mustafa.

 Së bashku diskutuan situatën aktuale dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët e Luginës, duke theksuar nevojën për forcim të bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës.

Ministrja Gërvalla edhe gjatë këtij takimi, ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për intensifikim të bashkëpunimit me Luginën e Preshevës dhe foli për nevojën për konkretizim të çështjeve dhe temave që do të jenë subjekt i përkrahjes së vazhdushme nga Kosova dhe institucionet e saj, si në rrafshin rajonal poashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Në këtë drejtim, u theksua nevoja për sensibilizim të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me pasivizimin e vendbanimeve dhe adresave të shqiptarëve në Serbi, për moszbatimin nga ana e Qeverisë së Serbisë së tri marrëveshjeve për Luginën e Preshevës si dhe shkeljen nga Serbia të të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve në Luginë.

Nga ana e saj kryetarja Sinani, duke elaboruar kërkesat e shtruara, theksoi nevojën për përfshirje të kuadrove nga Lugina në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, hartimin e një plani dhe programi nga Qeveria e Kosovës për Luginën, funksionalizimin e Zyrës për Luginën e Preshevës në Qeverinë e Kosovës si dhe përfshirjen e çështjes së Luginës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në përmbyllje të takimit, ishte konstatim i përbashkët, që të vazhdohet me konsultime dhe koordinim të ndërsjellë në identifikimin e sfidave, mundësive dhe gjetjen e zgjidhjeve dhe përkrahjes konkrete.

Takimin e radhës ministrja Gërvalla e zhvilloi me një grup studentësh nga Lugina e Preshevës një pjesë e të cilëve studiojnë në universitetet e Republikës së Kosovës.

Në fokus të diskutimeve me studentët ishte çështja e njohjes së diplomave universitare të Kosovës. Studentët theksuan se mosnjohja e diplomave po pamundëson kthimin e tyre dhe angazhimin profesional në Luginë.

 Në vazhdim të takimeve në Preshevë, kryediplomatja e Kosovës, takoi nënkryetarin e Alternativës për Ndryshim, Almin Shaqirin me të cilin gjithashtu diskutoi për format e bashkëpunimit mes Luginës dhe Qeverisë së Kosovës dhe situatën aktuale të shqiptarëve në Luginë.

Foto Galeria