21 vjet më parë, më 11 shtator 2001, nuk u sulmuan vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por e tërë bota e lirë dhe demokratike. Terroristët nuk goditën vetëm dy Kullat Binjake dhe Pentagonin, por sulmuan shpirtin dhe vlerat themelore njerëzore të popullit amerikan dhe të gjithë atyre shteteve dhe popujve, të cilët ndajnë të njejtat vlera. Këto vlera Republika e Kosovës, atëherë dhe sot, i ndan me aleatin e saj më të rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vazhdon t’i mbrojë dhe kultivojë me ngulm.
Më 11 shtator 2001 u sulmua shteti i lirë ku demokracia vlen njëjtë për të gjithë, ku të gjithë i gëzojnë të drejtat themelore pavarësisht bindjeve, prejardhjes apo përkatësisë që kanë. Këto ishin sulme kundër lirisë, vlerave të saj, modelit të jetës perëndimore amerikane pa ngulfatje, pa persekutime ndaj atyre që jetojnë dhe mendojnë ndryshe.
Kurrë nuk do ta harrojmë 11 shtatorin. 21 vjet më vonë përkulemi para mijëra jetërave të humbura nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe shpirtin e pamposhtur e liridashës të popullit amerikan. Në një ditë si kjo kujtojmë edhe kontributin e pakrahuesueshëm të SHBA-ve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për ndaljen e gjenocidit dhe krimeve serbe në Kosovë. I jemi përjetësisht mirënjohës popullit amerikan.
Sot Republika e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, qëndron partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën e përbashkët kundër terrorizmit.
Qoftë e bekuar gjithmonë miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!