Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës në botë
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të huaja në Republikën e Kosovës

Fillon edicioni i 12-të i Shkollës Diplomatike për Diplomatë të Rinj

Ndaje këtë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Akademisë Diplomatike të Republikës së Kosovës, ka hapur sot edicionin e 12-të të Shkollës Diplomatike për Diplomatë të Rinj, me temën “Shtetet e Vogla – Diplomaci e Mençur: Siguria dhe Bashkëpunimi Ndërkombëtar në Kohë të Pasigurisë Globale”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, morën pjesë në ceremoninë e hapjes së këtij edicioni, i cili ka mbledhur 39 diplomatë të rinj nga vende të ndryshme të botës dhe 10 diplomatë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti u uroi mirëseardhje pjesëmarrësve, duke theksuar se përvoja e Kosovës përbën një pikënisje të vlefshme për diskutimet mbi sfidat që po formësojnë marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ai theksoi se diplomacia, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe dialogu kanë luajtur rol të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës nga sfidat e shtetndërtimit drejt një pjesëmarrjeje gjithnjë e më aktive në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti nënvizoi se, pavarësisht nëse përfaqësojnë shtete të vogla të Paqësorit, vende afrikane apo shtete evropiane, diplomatët ndajnë përgjegjësinë për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet shteteve dhe për t’i afruar njerëzit përmes dialogut, pavarësisht dallimeve kulturore. Ai theksoi gjithashtu se lidhjet e krijuara sot mund të shërbejnë si themele për partneritete të qëndrueshme dhe bashkëpunim në të ardhmen.

Zëvendësministri Ahmeti vlerësoi rolin e Shkollës Diplomatike në shkëmbimin e përvojave, nxitjen e dialogut dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai theksoi se historia e Kosovës është e lidhur ngushtë me diplomacinë dhe angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa rrugëtimi i saj diplomatik pasqyron transformimin e vendit nga një territor nën administrim ndërkombëtar në një shtet të pavarur, me një rrjet përfaqësimi diplomatik dhe konsullor në botë.

Zëvendësministri Ahmeti vuri në pah rëndësinë e diversitetit të perspektivave dhe debatit konstruktiv në diplomacinë bashkëkohore, si dhe përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe kontributin e saj në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal e ndërkombëtar. Në këtë drejtim, ai nënvizoi rolin e edukimit diplomatik dhe ndërtimit të partneriteteve të qëndrueshme në afirmimin e Kosovës si partner i besueshëm dhe konstruktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Punimet e edicionit të 12-të të Shkollës Diplomatike për Diplomatë të Rinj do të zgjasin për gjashtë ditë radhazi, gjatë të cilave pjesëmarrësit do të ndjekin ligjërata, diskutime dhe sesione tematike nga diplomatë dhe ekspertë të fushave përkatëse.

Lajmet e tjera

|