Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, mori pjesë sot në hapjen e grupit të punës ‘Fuqizimi Ekonomik i Grave në Ballkanin Perëndimor’, organizim ky i ‘Friends of Europe’ në bashkëpunim me MPJD-në.
Ministrja Gërvalla në fjalën e saj, tha se në Kosovë gratë historikisht janë ballafaquar me pengesa të mëdha jo vetëm në pjesëmarrjen në ekonomi, por duke përfshirë diskriminimin, qasjen e limituar në arsim dhe trajnim, normat kulturore që i kufizojnë në lëvizshmërinë e tyre, e po ashtu edhe trashëgiminë në prona.
‘Sidoqoftë shoqëria civile dhe Qeveria e kanë pranuar rëndësinë e grave në fuqizimin e tyre ekonomik dhe thelbësorë, dhe kanë ndërmarrë hapa për të adresuar këto sfida. Si Qeveri kemi aprovuar p.sh gjatë viteve 2021-2022, rreth 3 mijë bursa për vajzat për studime universitare në drejtimet shkenca, teknologji, inxhinieri dhe matematika’- u shpreh ministrja Gërvalla para të pranishmëve.
Ministrja Gërvalla theksoi se sfidat për fuqizimin e grave në ekonomi, janë ende të mëdha, por që për ta ndryshuar këtë, duhet që të gjithë mekanizmat vendorë të fokusohen më shumë në ofrimin e mjedisit të duhur ekonomik për gratë dhe vajzat.
Ndërsa z. Dharmendra Kanani nga ‘Friends of Europe’, u shpreh i lumtur që kjo temë po diskutohet në Prishtinë, si dhe përgëzoi institucionet e Kosovës për punën e bërë në këtë drejtim.