Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës në botë
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të huaja në Republikën e Kosovës

Gërvalla në Vjenë kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës dhe përgjegjësi për agresorët e Banjskës

Ndaje këtë

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në takimin ministror “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të mbajtur në Vjenë, ku ka paraqitur qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit në rajon dhe me raportet me Serbinë.

Në adresimin e saj, Ministrja Gërvalla theksoi se masat e padrejta të vendosura ndaj Kosovës duhet të hiqen dhe se masa e pasoja duhet të ketë për agresorët e Banjskës.

“Sulmi agresor dhe paramilitar në Banjskë duhet të ketë pasoja reale për Serbinë dhe organizatorët e tij, përfshirë Millan Radoiçiqin, që duhet të dalë para drejtësisë në Kosovë”, u shpreh Ministrja Gërvalla.

Zëvendëskryeministrja Gërvalla ngriti gjithashtu shqetësimin e keqtrajtimit të vazhdueshëm që u bëhet qytetarëve të Republikës së Kosovës në pikëkalimet kufitare me Serbinë, përfshirë ndalesat e pajustifikuara dhe arrestimet arbitrare nga autoritetet serbe.

Ministrja Gërvalla theksoi se këto praktika bien ndesh me parimet evropiane, me standardet minimale të respektimit të të drejtave të njeriut dhe me normat e lëvizjes së lirë.

Duke folur për dialogun, Ministrja Gërvalla ritheksoi se dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm nëse përfundon me njohje të ndërsjellë ndërmjet dy shteteve. Ajo nënvizoi se siguria dhe perspektiva evropiane e Kosovës janë të pandashme dhe se Kosova ka dëshmuar në praktikë përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike.

Zëvendëskryeministrja u bëri thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian që ta përkthejnë këtë realitet në hapa konkretë përpara në procesin e zgjerimit.

Takimi “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” u mbajt me ftesë të Ministres Federale për Punë Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, dhe me pjesëmarrjen e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

Lajmet e tjera

|