Bashkëpunimi bilateral, sfidat rajonale dhe e ardhmja evropiane e Kosovës ishin në fokus të takimit që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, pati me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Xavier Bettel.
Në takim u theksua vlera e partneritetit ndërmjet dy vendeve, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në fusha si ekonomia, arsimi, shëndetësia, transformimi digjital dhe energjia e gjelbër.
Ministrja Gërvalla kërkoi mbështetje të qartë për përmbylljen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë Presidencës së Luksemburgut, si një hap i domosdoshëm për barazi institucionale dhe respektim të të drejtave themelore për qytetarët e Kosovës. Po ashtu, ajo kërkoi heqjen e masave të padrejta ndaj vendit, duke theksuar se ato bien ndesh me frymën e partneritetit dhe parimet e Bashkimit Evropian.
“Në një Evropë që kërkon më shumë bashkëpunim, më shumë siguri dhe më shumë drejtësi – Kosova është pjesë e zgjidhjes. Ne jemi aleatë të besueshëm, të përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe vlerave evropiane,” theksoi Ministrja Gërvalla.
Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua rolit të Luksemburgut në KFOR, përmes Detashmentit të përbashkët me Belgjikën. Ministrja Gërvalla e vlerësoi lart këtë kontribut si dëshmi e përkushtimit të Luksemburgut për sigurinë në Kosovë dhe më gjerë në rajon.
Në përmbyllje, Ministrja Gërvalla riafirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me Serbinë, duke theksuar se njohja reciproke mbetet e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme dhe marrëdhënie të qëndrueshme fqinjësore në rajon.