Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës në botë
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të huaja në Republikën e Kosovës

Kosova dhe Danimarka thellojnë marrëdhëniet strategjike në Prag të Presidencës Daneze të Këshillit të Bashkimit Evropian

Ndaje këtë

Më 30 maj 2025, në Kopenhagë, u mbajtën për herë të parë konsultimet politike ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Danimarkës, në prag të Presidencës Daneze të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila fillon më 1 korrik 2025.

Këto konsultime shënojnë një moment të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe përfaqësojnë një hap domethënës drejt avancimit të agjendës evropiane të Republikës së Kosovës. Diskutimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh, si dhe në koordinimin për çështje të përbashkëta në fushën e politikës së jashtme, energjisë dhe integrimit evropian.

Delegacioni i Republikës së Kosovës u përfaqësua nga z. Mentor Tahiri, Drejtor i Departamentit për Evropë, BE dhe Rajon në MPJD; z. Valdrin Grainca, Drejtues i Konsullatës së Kosovës në Danimarkë; z. Fitor Murati, Udhëheqës i Divizionit për Evropë dhe BE; z. Kenan Tora, Udhëheqës i Divizionit për Rajon; dhe znj. Dhurata Selimi, Zyrtare e Lartë për Marrëdhënie Shumëpalëshe.

Gjatë takimeve me përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Danimarkës, delegacioni i Kosovës zhvilloi diskutime me z. Jakob Alvi, Drejtor për Politikë Evropiane, me të cilin u trajtuan zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në progresin e Kosovës në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në takimin me z. Christian Holm-Lundbye, u diskutua marrëveshja bilaterale për bashkëpunim në fushën e energjisë së gjelbër dhe mbështetja për tranzicionin e drejtë energjetik në Kosovë. Ndërkaq, me znj. Christel Ann-Sophie Maertens, Drejtoreshë për të Drejtën e BE-së dhe Çështjet Ndërkombëtare Gjyqësore, u diskutua për ecurinë e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Të dyja palët ritheksuan përkushtimin për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike dhe institucionale ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në kontekstin e Presidencës Daneze të Këshillit të BE-së.

Delegacioni i Republikës së Kosovës shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës në forcimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin demokratik dhe tranzicionin energjetik të qëndrueshëm, përmes projekteve konkrete dhe partneritetit institucional afatgjatë.

Lajmet e tjera

|