Republika e Kosovës po përfaqësohet me krenari në ngjarjen ndërkombëtare Expo Osaka 2025, që po zhvillohet në Kansai, Japoni. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ekspozitë botërore është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional, të udhëhequr nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Komisionit Ndërshtetëror për Expo-n.
Kjo është hera e dytë që Kosova merr pjesë në një ekspozitë të tillë, duke ofruar një mundësi të jashtëzakonshme për të prezantuar kulturën, trashëgiminë, si dhe potencialin ekonomik dhe zhvillimor të vendit para vizitorëve nga e gjithë bota.
Pavijoni i Kosovës në Osaka është konceptuar si një hapësirë mikpritëse, përfaqësuese dhe bashkëkohore, ku vizitorët do të mund të njihen nga afër me historinë, artin, natyrën dhe frymën dinamike të popullit të Kosovës. Gjatë gjithë muajve të Expo-s, pavijoni do të shërbejë si një platformë e rëndësishme për promovimin e potencialit të vendit dhe ndërtimin e një imazhi të denjë të Kosovës.
Në ngjarjen që do të zhvillohet më 11 qershor 2025, në Ditën Kombëtare të Kosovës në Expo, do të marrë pjesë Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu. Në këtë ditë, Kosova do të prezantohet me një program artistik, të realizuar nga Filharmonia dhe Baleti Kombëtar i Kosovës, duke ofruar një program të pasur kulturor dhe artistik.
Institucionet e Republikës së Kosovës falënderojnë përkushtimin e ekipit ndërinstitucional të Expo-s, me në krye komisionerin z. Arbër Mehmeti, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Kosovës në Japoni, të udhëhequr nga ambasadori z. Sabri Kiçmari.
Pjesëmarrja e Kosovës në Expo Osaka 2025 përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërkombëtare dhe prezantimit të identitetit shtetëror në një skenë globale.