Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, mori pjesë sot në ceremoninë përkujtimore për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, si pjesë e delegacionit shtetëror të kryesuar nga Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren e tretë në detyrë, znj. Emilija Rexhepi.
Në përvjetorin e 30-të të kësaj tragjedie, Ministrja Gërvalla theksoi se Srebrenica mbetet një plagë e hapur dhe një kujtesë e përhershme për rrezikun e mohimit dhe indiferencës.
“8,372 burra dhe djem u vranë në mënyrë sistematike. Ekzekutuar me gjakftohtësi, varrosur në qindra varreza masive, zhvarrosur dhe rivarrosur për të fshehur gjurmët e krimit. Asnjë nuk u kursye. Asnjë nuk u kthye. Evropa nuk kishte parë një krim të tillë barbar që nga viti 1945,” tha Ministrja Gërvalla në mesazhin e saj.
Ajo kujtoi se shumë nga të mbijetuarit e gjenocidit ishin fëmijë kur humbën baballarët, vëllezërit dhe xhaxhallarët e tyre, ndërsa trupat e mbi 1,000 viktimave ende nuk janë gjetur.
“11 Korriku i vitit 1995 shënon jo vetëm rënien e Srebrenicës, por edhe fillimin e gjenocidit më të madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Brenda pak ditësh, 8,372 jetë u shuan në një gjenocid të planifikuar për të zhdukur një popullsi,” nënvizoi ajo.
Pjesëmarrja e Kryeministrit Kurti dhe Ministres Gërvalla në këtë përkujtim shtetëror tregon qëndrimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për respektimin e së vërtetës historike, nderimin e viktimave dhe mbrojtjen e parimeve të drejtësisë ndërkombëtare. Kosova qëndron në solidaritet të plotë me popullin boshnjak, si dhe me familjet e 8,372 viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.
“Srebrenica është një vijë ndarëse mes civilizimit dhe mohimit të tij. Ata që nuk e dënojnë gjenocidin sot, janë po ata që do të heshtnin para tij edhe nesër,” përfundoi Ministrja Gërvalla.
Për Republikën e Kosovës, nderimi dhe përkujtimi i viktimave të Srebrenicës mbetet një obligim shtetëror, moral dhe njerëzor, si dhe një përkushtim i vazhdueshëm për parandalimin e mohimit të gjenocidit dhe luftimin e çdo tendence për të relativizuar krimet e së kaluarës.