Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Search
Close this search box.
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës në botë
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të huaja në Republikën e Kosovës

Mbahet Forumi Ekonomik Kosovë-Kroaci, mbi 300 biznese kroate e shqiptare diskutojnë për fushat e bashkëpunimit

Ndaje këtë

Nën përkujdesjen e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në bashkë organizim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në Prishtinë është mbajtur Forumi Ekonomik Kosovë-Kroaci, në të cilin kanë marrë pjesë mbi 300 biznese nga Kosova dhe Kroacia.
Në ceremoninë hapëse të Forumit kryeministri Albin Kurti, ka thënë se ka ardhur koha që të forcohen lidhjet ekonomike mes dy shteteve mike dhe se ky Forum është vetëm hapi i parë drejt kësaj rruge.


Përmes një video mesazhi, pjesëmarrjeve të Forumit i është drejtuar edhe kryeministri i Kroacisë z. Andrej Plenković, i cili ka thënë se është shumë i lumtur me bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe se pret progres në marrëdhëniet ekonomike mes dy shteteve.


Si hap i parë i thellimit të bashkëpunimit, në kuadër të këtij Forumi është nënshkruar edhe Marrëveshja e Bashkëpunimit në fushën e turizmit, nga ministrja e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë e Republikës së Kosovës, znj. Rozata Hajdari dhe Sekretari i Shtetit në Ministrinë për Sport dhe Turizëm të Kroacisë, z. Tonči Glavina.


Investimet dhe mundësitë e bashkëpunimit kanë qenë temë e panelit të parë të Forumit, ku përfaqësues të bizneseve dhe odave ekonomike kroate dhe kosovare kanë diskutuar potencialet e zhvillimit të përbashkët ekonomik dhe sektorët konkret ku të dy shtetet mund të bashkëpunojnë.


Ndërsa në panelin e dytë u diskutua për rolin e Universiteteve në kërkimin dhe zhvillimin në Adresimin e Nevojave të Tregut të Punës. Gjatë këtij paneli, përfaqësues të Universitete/kolegjeve nga Kosova dhe Kroacia, diskutuan rreth konkretizimit të modeleve që shpijnë drejt një sistemi që plotëson kushtet për aftësimin e gjeneratave për tregun e punës.
Në kuadër të Forumit, nuk munguan as takimet B2B mes bizneseve kosovare dhe kroate, të cilat kanë krijuar lidhjet mes bizneseve duke specifikuar sektorët ku dy shtetet mund të lidhin marrëveshje bashkëpunimi.


Bizneset nga fusha e ndërtimit, patundshmërive dhe produkteve të ndërtimit, nga të dyja shtetet, në takimet B2B kanë konkretizuar hapat që u mundësojnë lidhjen mes bizneseve të tyre, në mënyra që në një të ardhme të afërt të kenë mundësi bashkëpunimi konkret dhe përfitues për të dy palët.


Nga të dy palët janë vendosur kontaktet dhe pikat kyçe ku ato mund të lidhin bizneset e tyre.
Dita e parë e Forumit Ekonomik Kosovë Kroaci, është përmbyllur me një darkë pune, me ç ‘rast ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla iu është drejtuar të pranishmëve me një fjalë rasti, për të vazhduar me tej me diskutimet e panelit, që për temë kishte turizmin dhe mundësitë e bashkëpunimit në këtë fushë.


Në ditën e dytë të Forumit, përfaqësuesit e bizneseve kroate të shoqëruara nga bizneset kosovare kanë vizituar fillimisht Parkun e Biznesit në Drenas, ku nga afër janë njoftuar me fushë-ve primtarinë e bizneseve që janë pjesë e këtij Parku Biznesi, si dhe janë njohur me potencialin e tyre të bërit biznes.


Parku i Trajnimeve dhe Inovacionit në Prizren ka qenë gjithashtu një pikë takimi për të gjitha bizneset kroate që ishin pjesë e këtij Forumi.


Aty janë njoftuar me punën që bëjnë bizneset nga sektorë të ndryshëm, siç janë industritë kreative dhe kulturore, automatizimi industrial, shërbimet gjuhësore të arsimit dhe trajnimet, të gjitha këto fusha ku bizneset kroate kanë parë potencial dhe mundësi konkretizimi të bashkëpunimit.


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shpreh falënderim të veçantë për të gjitha bizneset pjesëmarrëse të Forumit, të cilët e kanë pasuruar këtë aktivitet, dhe në veçanti një falënderim për znj. Ermina Lekaj Përlaskaj dhe z.Ante Bačić, si dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kroaci për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë në organizimin e këtij Forumi në Prishtinë.

Lajmet e tjera

|