Në kampusin e UBT-së në Lipjan u mbajt konferenca dy ditore “Diaspora Academician Conference 2022” – për diasporën shkencore dhe punëtori industriale në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK).
Fokusi i kësaj konference ishte angazhimi i diasporës në projekte ndërkombëtare që kanë për qëllim zhvillimin e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme.
Ky projekt synon të bashkojë studiues dhe praktikues nga akademia dhe industria në fushën e TIK-ut për të shkëmbyer ide dhe përvoja duke prezantuar profilin e tyre dhe angazhimin në aktivitetet hulumtuese.




Pjesëmarrëse në këtë konferencë ishte Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, e cila foli për potencialin e diasporës shqiptare, dhe rëndësinë e ofrimit të mundësive për ta aplikuar atë në vendin e origjinës.
Ajo përmendi dy faktorë kryesor që duhet ndryshuar në mënyrë që diasporës shkencore t’i jepet mundësia për të kontribuar. Faktori i parë është ndryshimi i kulturës administrative në vendlindje, ndërsa faktori i dytë është demokratizimi i sistemit arsimor të lartë në Kosovë, ndryshim i cili sipas Zëvendësministres Gashi do tu jep mundësi profesionistëve nga diaspora të zgjedhin fushën e arsimit dhe të japin kontributin e tyre.
Si pjesë të zgjidhjes, znj. Gashi përmendi partneritetin e universiteteve të Kosovës me universitetet jashtë vendit, në mënyrë që të krijohet një ambient i përshtatshëm për shkëmbim të dijes dhe njohurive, por edhe për aplikim të potencialit të diasporës në Kosovë.
Gjithashtu para panelistëve Zëvendësministrja Gashi prezantoi programin për Diplomaci Qytetare ( www.cdfellowship.com ), i cili u ofron mundësi profesionistëve të rinj nga diaspora të angazhohen si bursist brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për një periudhë 6-mujore, ku ata do të mund të japin kontribut direkt në institucionet e vendit.