Maqedonia e Veriut është kryesuesja e radhës e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) gjatë të cilit, sot u mbajt seanca plenare e Takimit Ministror nën moton “Tejkalojmë ndarjet, ndërtojmë besim”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MPJD, z. Ilir Muçaj, i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, z. Florian Qehaja dhe Udhëheqësi i Divizionit për Rajon, z. Kenan Tora.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Sekretari i Përgjithshëm z. Muçaj, në emër të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal të bazuar në gjithëpërfshirje dhe barazi në përfaqësim duke shërbyer si urë për proceset e integrimit evropian të të gjithë rajonit. Po ashtu, ai theksoi rolin konstruktiv të Republikës së Kosovës në proceset e bashkëpunimit rajonal dhe zotimin për integrim evropian.
Delegacioni i kryesuar nga Sekretari Muçaj, gjatë këtij takimi zhvilluan diskutime me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, z. Bujar Osmani si dhe përfaqësuesit e delegacioneve pjesëmarrëse të këtij Procesi.