Ceremonia u zhvillua në prani të Lartmadhërisë së Tij, Dukës së Madh të Luksemburgut, Henri, si dhe përfaqësuesve të lartë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke reflektuar mbi një nga projektet më domethënëse të Evropës, lëvizjen e lirë pa kufij të brendshëm.
Në fjalën e saj, Ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë që ka pasur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës në Zonën Schengen, që nga janari i vitit 2024. Ajo e përshkroi këtë moment si një akt jo vetëm teknik, por një korrigjim të një padrejtësie historike, duke afirmuar vendin meritor të Kosovës në familjen evropiane.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave themelore evropiane: lirisë, demokracisë dhe barazisë. Ky përkushtim nuk kufizohet vetëm në raportet tona me Bashkimin Evropian, por shtrihet edhe në ndërtimin e një rajoni më të hapur dhe më bashkëpunues,” tha Ministrja Gërvalla.
Duke folur për sfidat aktuale, ajo solli në vëmendje barrierat e vazhdueshme në rajon, në veçanti pengesat që qytetarët e Kosovës përjetojnë në kalimin e kufirit me Serbinë, praktika që bien ndesh me frymën e Marrëveshjes së Schengen-it dhe me standardet evropiane.
Në këtë kontekst, Ministrja Gërvalla nënvizoi se Kosova ka ndërmarrë hapa konkretë për të avancuar bashkëpunimin rajonal, përfshirë heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e vendeve fqinje, duke dëshmuar gatishmërinë për fqinjësi të mirë dhe për të kaluar ndarjet e së kaluarës përmes dialogut dhe reciprocitetit.
Ministrja Gërvalla, në mbyllje të fjalimit të saj, theksoi se: “Kosova vazhdon të qëndrojë e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimit të plotë evropian si dhe ndaj parimeve dhe të ardhmes evropiane”.