Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin z. Besnik Bislimi, ka pritur sot Ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, z. Jan Lipavský.
Kjo është vizita e parë zyrtare e ministrit Lipavský në Republikën e Kosovës. Në takim u përmend mirënjohja për Republikën Çeke si një nga shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Palët diskutuan mbi rëndësinë e unitetit, një Evrope të bashkuar në tejkalimin e sfidave të përbashkëta që prekin sigurinë, energjinë dhe efektet e shkaktuara nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë.


Në takim u shpreh mirënjohja ndaj Republikës së Kosovës për bashkërendimin e politikës së jashtme në lidhje me agresionin rus në Ukrainë.
Në takim u bisedua edhe për marrëdhëniet e mira në mes të dy shteteve si dhe për proceset e ndërlidhura me integrimin euro-atlantik të Republikës së Kosovës, përfshirë dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, z. Lipavský, përgëzoi Republikën e Kosovës për procedimin e aplikimit në Këshillin e Evropës dhe theksoi mbështetjen e Çekisë gjatë këtij procesi.
Po ashtu, në takim u nënvizua përkrahja për Republikën e Kosovës gjatë procedurës së anëtarësimit në NATO dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.
Vizita e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Çeke në Republikën e Kosovës përkon me kryesimin e këtij shteti të Këshillit të Bashkimit Evropian, prioritetet e së cilës mbeten progresi në negociatat për zgjerim të BE-së dhe mbështetja e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.