Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, gjatë qëndrimit në New York, ka bërë homazhe në nderim të ish-Kongresistit amerikan Eliot Engel, duke shprehur njëkohësisht ngushëllimet më të sinqerta në emër të Republikës së Kosovës për familjen e tij.
Ministri Konjufca theksoi se ky ishte një moment i veçantë për të nderuar jetën dhe veprën e një miku të madh të shqiptarëve dhe të Kosovës. Ai vlerësoi lart angazhimin shumëvjeçar të Engel, i cili me përkushtim të palëkundur mbrojti të drejtën e popullit të Kosovës për çlirim, liri dhe pavarësi.
“Lavdi jetës dhe veprës së mikut tonë të madh. Kontributi i tij është në themel të miqësisë sonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” u shpreh zëvendëskryeministri Konjufca.
Republika e Kosovës do të mbetet përherë mirënjohëse për mbështetjen dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Eliot Engel ndaj vendit dhe qytetarëve të saj.