Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës në botë
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të huaja në Republikën e Kosovës

Ministri Konjufca dhe Ministri Haddad, nënshkruan sot katër marrëveshje dhe një deklaratë synimi

Ndaje këtë

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, dhe Ministri i Deleguar për Evropën i Republikës së Frances, z. Benjamin Haddad, nënshkruan sot katër marrëveshje dhe një deklaratë synimi, duke shënuar një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e drejtësisë, arsimit, zhvillimit dhe mbështetjes për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Me këtë rast, ministri Konjufca priti në takim ministrin Haddad, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Duke vlerësuar miqësinë e veçantë ndërmjet Kosovës dhe Francës, ministri Konjufca theksoi se në periudhat vendimtare të historisë së Kosovës, Franca ka qëndruar përkrah popullit tonë, duke mbështetur lirinë, shtetndërtimin, konsolidimin demokratik dhe perspektivën evropiane të vendit. Ai shtoi se mbështetja e ofruar në momentet më përcaktuese për Kosovën zë një vend të veçantë në kujtesën politike dhe historike të Republikës së Kosovës, për të cilën mbetemi thellësisht mirënjohës.

Marrëveshjet e nënshkruara sot pasqyrojnë vullnetin e përbashkët të Kosovës dhe Francës për ta thelluar më tej këtë partneritet në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë:

•          Marrëveshjen për ekstradim, e cila forcon bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë dhe lehtëson procedurat e ekstradimit;

•          Marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale, e cila avancon bashkëpunimin ndërmjet institucioneve përkatëse në administrimin e drejtësisë dhe luftimin e krimit;

•          Marrëveshjen e kredisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për mbështetjen e investimeve infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030;

•          Deklarata e Synimit për themelimin e Komitetit Francë–Kosovë, përmes së cilës përvoja dhe ekspertiza franceze do të mbështesin përgatitjen dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030; si dhe

•          Marrëveshjen Administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë, e cila synon zgjerimin dhe fuqizimin e mësimdhënies së gjuhës frënge, si dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim arsimor dhe akademik.

Gjatë takimit, ministrat diskutuan gjithashtu për perspektivën evropiane të Kosovës, zhvillimet e sigurisë në rajon, bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Ministri Konjufca ritheksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj integrimit evropian dhe vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Francës në këtë proces. Ai shprehu mirënjohjen për partneritetin dhe angazhimin francez në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Lajmet e tjera

|