Zëvendëskryeministri dhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në Takimin Ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i mbajtur në Sofje të Bullgarisë, në kuadër të shënimit të 30-vjetorit të këtij formati rajonal të bashkëpunimit.
Në adresimin e tij para ministrave të vendeve pjesëmarrëse, ministri Konjufca theksoi se Evropa Juglindore ka shënuar progres të rëndësishëm gjatë tri dekadave të fundit, por se zhvillimet aktuale gjeopolitike kërkojnë qartësi strategjike, përgjegjësi politike dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj paqes, stabilitetit dhe orientimit evropian e euro-atlantik të rajonit.
Ministri Konjufca nënvizoi se procesi i integrimit evropian duhet të mbetet i besueshëm, i drejtë dhe i bazuar në merita, duke theksuar se përparimi i Republikës së Kosovës në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e lirisë së medias dhe zhvillimin ekonomik duhet të njihet dhe të reflektohet në hapa konkretë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, ministri Konjufca vlerësoi se ky bashkëpunim bëhet i qëndrueshëm kur përkthehet në projekte konkrete dhe marrëveshje që përmirësojnë jetën e qytetarëve. Në këtë kontekst, ai veçoi avancimin e projektit të hekurudhës Prishtinë–Durrës dhe përfshirjen e saj në rrjetin evropian të transportit TEN-T, si një projekt strategjik për forcimin e lidhshmërisë së Kosovës dhe rajonit me Bashkimin Evropian.
Po ashtu, ministri Konjufca theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve për njohjen e diplomave dhe lirinë e lëvizjes, si dhe avancimin e marrëveshjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e sigurimeve sociale dhe lejet e punës, duke i cilësuar ato si hapa të rëndësishëm drejt një integrimi më të prekshëm për qytetarët.
Gjatë qëndrimit në Sofje, ministri Konjufca zhvilloi edhe një takim dypalësh me Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Velislava Petrova.
Në takim u diskutua për procesin e integrimit evropian të Kosovës, rëndësinë e një qasjeje të drejtë dhe të bazuar në merita në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, perspektivën euro-atlantike të Kosovës, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Ministri Konjufca rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për të vazhduar kontributin e saj në forcimin e stabilitetit rajonal dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit, duke theksuar se progresi demokratik dhe orientimi i qartë evropian i Kosovës duhet të reflektohen në hapa konkretë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.