Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, priti në takim Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, z. Petrit Malaj.
Takimi u zhvillua në frymën e marrëdhënieve të veçanta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, me fokus në interesin e përbashkët strategjik kombëtar.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e koordinimit në politikën e jashtme dhe të qëndrimeve të përbashkëta në arenën ndërkombëtare, në funksion të interesave të përbashkëta.
Ambasadori Malaj e ftoi Zëvendëskryeministrin Konjufca të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, që organizohet nga Republika e Shqipërisë çdo vit, dhe ka marrë formën e një platforme që forcon lidhjet me diasporën dhe kontribuon në konsolidimin e veprimit të përbashkët në përmbushje të qëllimeve të përbashkëta kombëtare.
Republika e Kosovës e ka prioritet të vazhdueshëm thellimin e bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë në funksion të avancimit të interesit tonë të përbashkët.