Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot në takim homologun e tij, zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Bashkëpunimit për Zhvillim të Mbretërisë së Belgjikës, Maxime Prévot.
Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës, të ndërtuara mbi mbështetjen e vazhdueshme belge për shtetndërtimin dhe integrimin euro-atlantik të Kosovës.
Palët diskutuan për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë në fushën e politikës së jashtme dhe proceset integruese të Republikës së Kosovës.
Ministri Konjufca theksoi rëndësinë e mbështetjes së Belgjikës në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke vlerësuar gjithashtu qëndrimin konstruktiv të Belgjikës në procesin e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Në takim u diskutua gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe në fushën e mbrojtjes, si dhe për identifikimin e mundësive të reja për zgjerimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.
Ministri Konjufca e falënderoi Zëvendëskryeministrin Prévot për vizitën, për bisedën e hapur dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Belgjika i jep Republikës së Kosovës.