Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës në botë
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të huaja në Republikën e Kosovës

Ministri Konjufca zhvilloi një sërë takimesh me partner ndërkombëtar në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara

Ndaje këtë

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, gjatë qëndrimit në New York, në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, së bashku me Kryeministrin Kurti, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordan Grlić Radman.

Në takim u vlerësua bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Kroacisë, si një prej partnerëve më të afërt në rajon, me të cilën Kosova ndan interesa të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe në avancimin e perspektivës euroatlantike të vendit.

Palët në takim vlerësuan se ky partneritet i konsoliduar ndër vite krijon mundësi të reja për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ministri Konjufca takoi edhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, Tom Berendsen, me të cilin diskutoi për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Ministri Konjufca shprehu qëndrimin se ky aktgjykim shtrembëron të vërtetën historike, përbën një padrejtësi serioze dhe duhet të korrigjohet në shkallën e Apelit.

Krahas këtyre diskutimeve, Ministri Konjufca takoi edhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, L.T. Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Në takim u vlerësua se marrëdhëniet politike mes Kosovës dhe Emirateve janë të shkëlqyera, ndërsa synimi është që kësaj afërsie t’i jepet edhe më shumë përmbajtje ekonomike. Gjatë takimit u diskutua për rritjen e investimeve dhe mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në vitet në vijim.

Gjithashtu, Ministri Konjufca takoi Ministrin e Jashtëm të Xhibutit, Abdoulkader Houssein Omar, ndërsa pati mundësinë të shkëmbejë mendime edhe me Kryeministrin e Ruandës, Justin Nsengiyumva dhe Ministrin e Jashtëm, Olivier Nduhungirehe. Gjatë takimeve u diskutua për forcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

Ministri Konjufca së bashku me delegacionin e Kosovës, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkauar, po vazhdojnë angazhimin për forcimin e partneriteteve të Kosovës dhe avancimin e interesave të vendit në arenën ndërkombëtare.

Lajmet e tjera

|