Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, zhvilloi një takim bilateral me Ministrin e Shtetit të Republikës së Palaut, Gustav Aitaro, në kuadër të Takimit të 55-të të Liderëve të Forumit të Ishujve të Paqësorit në Koror të Republikës së Palaut.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe konstruktive, me fokus në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe në mundësitë për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral.
Zëvendëskryeministri Konjufca shprehu mirënjohjen për mikpritjen e Republikës së Palaut dhe organizimin e Forumit, duke vlerësuar mundësinë për të diskutuar drejtpërdrejt avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Palaut.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për hapjen e fushave të reja të bashkëpunimit me interes të përbashkët, si dhe për intensifikimin e kontakteve ndërinstitucionale dhe diplomatike. Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar angazhimin në forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe në zhvillimin e një bashkëpunimi më të qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve.
Takimi riafirmoi vullnetin për thellimin e lidhjeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Palaut dhe për zgjerimin e bashkëpunimit mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe interesave të përbashkëta.