Më 14 prill 2025, në Prishtinë, nën udhëheqjen e Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, u mbajtën konsultimet politike me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Holandës.
Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin shumëpalësh dhe zhvillimet aktuale në nivel rajonal dhe global. Palët vlerësuan lart bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës, duke ritheksuar përkushtimin për forcimin e mëtejmë të lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Në kuadër të agjendës dypalëshe, u trajtuan çështje konkrete të bashkëpunimit në fushën e e drejtësisë, sigurisë, mbrojtjes dhe tregtisë. U diskutua për njohjen reciproke të vulave apostile, rritjen e kuotave të lejeve të transportit dhe avancimin e procesit për marrëveshjen mbi sigurimet shoqërore.
Në aspektin e bashkëpunimit shumëpalësh, u shkëmbyen qëndrime mbi proceset integruese të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në përpjekjet për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe përparimin drejt Bashkimit Evropian. Po ashtu, u diskutua edhe për zhvillimet në nivel rajonal dhe rolin konstruktiv të Kosovës. Zëvendësministri Ahmeti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Holandës në këto procese.
Diskutimet përfshinë gjithashtu zhvillimet aktuale gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë dhe ndikimet e saj në sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit evropian. Zëvendësministri Ahmeti theksoi përkushtimin e Kosovës për të qenë kontribuese aktive në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Në përmbyllje, të dyja palët ritheksuan rëndësinë e mbajtjes së rregullt të konsultimeve politike si një mekanizëm i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimin në çështje me interes të përbashkët në arenën ndërkombëtare.