Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës në botë
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të huaja në Republikën e Kosovës

Ministrja Donika Gërvalla: Sot, 25 vjet pas çlirimit të Kosovës, shtatorja e Presidentit Rugova zë më në fund vendin e merituar në qytetin e Podujevës

Ndaje këtë

Pjesë nga fjalimi i Ministres Donika Gërvalla në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Presidentit Dr. Ibrahim Rugova në Podujevë.

Jam shumë e nderuar për privilegjin që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të flas për Presidentin Rugova në ceremoninë e zbulimit të shtatores së tij në një datë kaq të rëndësishme për Republikën e kaq domethënëse në rrugën tonë deri këtu, në ditën e Kushtetutës së Kaçanikut.

🇽🇰

Si intelektual e idealist, kur po rrënohej liria dhe po rrezikohej ekzistenca e popullit të tij, Ibrahim Rugova doli në ballë të lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës.

🇽🇰

Shqiptarët dhe bota po shihnin se brenda natyrës së qetë e të butë, shprehjes së hollë e të kulturuar, brishtësisë dhe elegancës së intelektualit Rugova, ekzistonte një vullkan i rrallë energjie dhe vendosmërie për Kosovën. Dhe, së bashku me të, edhe ne të gjithë, një popull i tërë, po e formësonim e po e forconim Kosovën me një imazh të ri.

🇽🇰

Me vizionin largpamës dhe udhëheqjen e tij të matur e të mençur, që zgjoi mobilizimin më të madh në historinë e shqiptarëve për një rezistencë pa dhunë, por shumë aktive dhe konsekuente, Kosova jo vetëm që shpalli pavarësinë e filloi jetësimin e saj, por edhe i shpëtoi goditjes së planifikuar me dekada të nacionalizmit serb, goditje që do të ishte e përmasave ndoshta apokaliptike.

🇽🇰

Vizionit dhe parimeve, Ibrahim Rugova u qëndroi edhe në vitet nëntëdhjetë, edhe gjatë luftës 98/99, por edhe pas saj, kur Kosova ishte çliruar nga forcat ushtarake e policore serbe, por rruga e saj për liri, demokraci e pavarësi do t’ishte ende e gjatë dhe e vështirë.

Edhe një herë, vizioni i tij i qartë, mençuria, thellësia e mendimit, këmbëngulja në parime, dhe sidomos besimi e dashuria që populli i Kosovës nuk ia kursyen as pas luftës, e shpëtoi vendin tonë nga një vorbull e rrezikshme e nga një rivalitet i egër politik, i cili rrezikonte të zhbënte Kosovën prapë, edhe pasi ishte fituar liria.

🇽🇰

Presidenti Rugova ka qenë jo vetëm intelektual, prijës e politikan. Ai ka qenë frymë, frymë e ndryshimit, frymë e lirisë, frymë e pavarësisë, frymë e demokracisë. Dhe, në një mënyrë a tjetër, t’gjithë ne kemi qenë pjesë e kësaj fryme.

🇽🇰

Por, furtunat në Ballkan ende nuk kanë pushuar. Kosova e lirë dhe e pavarur, të cilën po mundohemi ta zhvillojmë e përparojmë, është trashëgimia më e madhe e vizionarit Ibrahim Rugova. Prandaj, sot kur po e kujtojmë dhe nderojmë veprën e tij, duhet të reflektojmë për rrugën e vizionin e tij, rrugën e vështirë të Kosovës deri këtu.

Lajmet e tjera

|