Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, priti sot në takim Ministren e Mbrojtjes së Dukatit të Madh të Luksemburgut, znj. Yuriko Backes.
Takimi u zhvillua në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Luksemburgut, të ndërtuara mbi bashkëpunim të ngushtë në fusha kyçe si politika e jashtme, siguria, mbrojtja, reformat institucionale dhe zhvillimi ekonomik.
Gjatë këtij takimi, u ritheksua përkushtimi i ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit strategjik, duke vlerësuar veçanërisht kontributin e çmuar të trupave luksemburgase si pjesë e Kontingjentit të Beneluksit në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.
Ministrja Gërvalla shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut në rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik, duke përfshirë mbështetjen për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe nismat e përbashkëta në kuadër të Bashkimit Evropian.
Ministrja Gërvalla dhe Ministrja Backes u zotuan për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
“Marrëdhëniet dypalëshe të shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Luksemburgut, të ndërtuara në besim, mbështetje të ndërsjellë dhe vizion euroatlantik, vazhdojnë ta bëjnë Luksemburgun një aleat të fuqishëm të Kosovës në rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit euroatlantik dhe garantimit të sigurisë afatgjate”, theksoi ndër të tjera Ministrja Gërvalla.