Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, mori pjesë në darkën e përbashkët të “Ministrave të Jashtëm të Danubit”, Ministrave të Jashtëm të “Miqve të Ballkanit Perëndimor” dhe ata të Ballkanit Perëndimor, në Vjenë, në prag të mbajtjes së takimit të nesërm i cili synon përkrahjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor për një integrim sa më të shpejtë në strukturat e BE-së.
Në takimin e nesërm, ministrja Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik, si dhe do të avokojë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe nevojës së ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.