Serbia nuk është Rusia, por Serbia po kopjon strategjitë ruse dhe po i përshtat ato në kontekstin rajonal, deklaroi Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë adresimit të saj në takimin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel.
Në fjalën e saj, Ministrja Gërvalla vuri në pah sulmin e fundit ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës në Zubin Potok, duke e përshkruar atë si një përshkallëzim serioz të përpjekjeve destabilizuese nga Serbia.
Ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe të vendosur të institucioneve të reja të Bashkimit Evropian për të parandaluar akte të ngjashme në të ardhmen. Ajo kërkoi një qasje të re dhe më të fortë nga BE-ja ndaj kërcënimeve destabilizuese, duke nënvizuar nevojën për të mbrojtur parimet e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
Në fjalën e saj, Ministrja Gërvalla solli në vëmendje ndikimin e thellë të Rusisë në strukturat shtetërore të Serbisë dhe përpjekjet e saj për të imituar taktikat destabilizuese ruse, përfshirë përdorimin e propagandës dhe ndërhyrjet agresive ushtarake.
“Evropa nuk ka kohë për të humbur. Duhet të dërgojë sinjale të vendosura dhe të tregojë se nuk do të tolerojë sjellje që minojnë paqen dhe vlerat tona të përbashkëta”, tha Ministrja Gërvalla.
Ministrja Gërvalla gjithashtu nënvizoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit të Kosovës në BE, si një faktor vendimtar për stabilitetin dhe prosperitetin rajonal.