Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, mori pjesë në takimin e Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në Nju Jork, organizuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, z. Antonio Tajani.
Duke vlerësuar rëndësinë e këtij takimi, Ministrja Gërvalla theksoi se mes miqsh angazhimi matet me rezultate konkrete, bashkëpunim të sinqertë, vlera të përbashkëta demokratike dhe vizion të qartë evropian.
Ajo nënvizoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për reforma të thella dhe progres të prekshëm, duke theksuar: “Në këtë frymë, Republika e Kosovës dëshmon përkushtimin e saj për reforma, sundim të ligjit, bashkëpunim praktik që sjell rezultate të prekshme për gjithë qytetarët, si dhe shtyen përpara bashkërendimin në siguri dhe stabilitet afatgjatë për rajonin.”
Në takimin e Miqve të Ballkanit Perëndimor u theksua se stabiliteti rajonal kërkon rezultate të matshme, koordinim të politikave të sigurisë, forcim të qëndrueshmërisë institucionale dhe përshpejtim të procesit të integrimit evropian.