Me ftesë të Ministres Federale për Punë Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, sot, më 4 dhjetor 2025, ka udhëtuar në Vjenë për të marrë pjesë në takimin ministror të formatit “Friends of the Western Balkans”.
Takimi fokusohet në ruajtjen e çështjes së Ballkanit Perëndimor në agjendën politike të Bashkimit Evropian, në vlerësimin e gjendjes aktuale të procesit të zgjerimit, si dhe në diskutimin e mënyrave të reja për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, energjisë dhe sigurisë. Po ashtu, pjesëmarrësit do të shkëmbejnë qëndrime për zbatimin e plotë të mekanizmit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në këtë takim, Ministrja Gërvalla do të riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për integrim të plotë në Bashkimin Evropian dhe për një bashkëpunim rajonal që respekton sovranitetin dhe barazinë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, në përputhje me vlerat dhe orientimin euroatlantik të rajonit.