Delegacioni i Republikës së Kosovës, i përbërë nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Strasburg, Lulzim Hiseni dhe Kushtrim Istrefi, këshilltar ligjor i Republikës së Kosovës për procesin e Këshillit të Evropës ndodhet në Strasburg për të zhvilluar takime të ndryshme në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE).
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni zhvilloi një takim me delegacionin francez në PACE, respektivisht me kryesuesin e delegacionit francez në PACE, Bertrand Bouyx dhe parlamentarët Didier Marie dhe Mr. Joël Giraud. Diskutimi u përqendrua në procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kontributin e rëndësishëm të delegacionit francez në këtë proces.
Ndërkohë që gjatë takimit u theksua progresi i madh i Kosovës në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit, të të drejtave të njeriut dhe të drejtave individuale të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, po ashtu u theksua shqetësimi i madh për aktin e agresionit të Serbisë kundër territorit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe nevoja për marrjen e masave të menjëhershme ndëshkuese ndaj Serbisë.