Në takimin e kortezisë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti Ambasadorin e ri të Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski, të cilin e uroi për fillimin e mandatit të tij dhe riafirmoi angazhimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Bullgarinë, një partner të rëndësishëm për Kosovën.
Ministrja Gërvalla vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Bullgaria mbetet një partner i rëndësishëm i Kosovës në rajon, dhe gjatë takimit, Ministrja Gërvalla dhe Ambasadori Kraevski diskutuan mbi zgjerimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si ekonomia, siguria dhe inovacioni, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si një investim të vlefshëm për të ardhmen e përbashkët të dy vendeve.