Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz priti në takim Kryesuesin e OSBE-së dhe njëherit Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut , z.Bujar Osmani.
Ajo fillimisht falënderoi kryesuesin dhe delegacionin e OSBE-së për kontributin objektiv të kësaj organizate të sigurisë dhe bashkëpunimit evropian, për Kosovën si në të kaluarën ashtu edhe në ditët e sotme duke vënë në pah edhe rolin që OSBE-ja ka luajtur edhe në ndërtimin e institucioneve të sigurisë dhe demokratizimin e vendit.
Republika e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me OSBE-në për sfidat e ardhshme të përbashkëta për forcimin e stabilitetit rajonal dhe prioritetet e kësaj organizate në të mirë të Kosovës dhe Rajonit.
Republika e Kosovës është realitet dhe sa më parë që njihet ky realitet nga të gjitha vendet anëtare të OSBE-së, aq më shumë do të forcohet paqja dhe siguria në rajon e Evropë.
Gjatë takimit u diskutuan edhe tema tjera me rëndësi për Republikën e Kosovën, proceset aktuale të reformave që po kalon vendi ynë, sfidat e ardhshme që na presin në rrugën e integrimit euro-atlantik, si dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale me Maqedoninë e Veriut.
Në takim u theksua se Republika e Kosovës si faktor paqeje e stabiliteti në rajon ka marrëdhënie shumë të mira me fqinjët dhe është e përkushtuar të normalizojë marrëdhëniet edhe me Serbinë.
Të dy ministrat pas takimit bilateral, mbajtën një konferencë të përbashkët për media.