Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Search
Close this search box.
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës në botë
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të huaja në Republikën e Kosovës

Ministrja Gërvalla priti në takim ministrin e Jashtëm të Suedisë Tobias Billström

Ndaje këtë

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, ka mirëpritur sot në Kosovë homologun e saj, ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, z.Tobias Billström.

Ministrja Gërvalla duke e falënderuar ministrin Billström për vizitën në Kosovë, ka thënë se është kënaqësi e veçantë që kjo vizitë po ndodh në kohën kur shteti i Suedisë ka edhe presidencën e Bashkimit Evropian.

“Është një ditë shumë e rëndësishme për ne, kemi këtu presidencën suedeze, pikërisht në ditën e sotme, pasi që dje jemi kthyer nga Strasburgu ku është finalizuar përmes nënshkrimit të Parlamentit Evropian të Këshillit dhe të Raportuesit, liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët që nga data 1 janar 2024 do të kenë mundësi të qarkullojnë pa viza brenda zonës Shengen..”, u shpreh ministrja Gërvalla para gazetarëve.

Për zhbllokimin dhe finalizimin e procesit të liberalizmit të vizave, ministrja Gërvalla e ka falënderuar presidencën suedeze të BE-së, pa lënë mënjanë edhe presidencën Çeke, e cila e ka shtyrë përpara procesin e vizave për Kosovën me shumë përkushtim dhe gatishmëri.

Ministrja Gërvalla dhe ministri Billström gjatë takimit bilateral biseduan edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe aplikimin në Bashkimin Evropian.

Ministrja Gërvalla tha se pothuajse një vit pas aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka pasur zhvillime shumë të rëndësishme rreth këtij aplikimi dhe pritet që brenda një kohe jo të largët, kërkesa e Republikës së Kosovës për anëtarësim, sipas procedurave të parapara të kalojë nga Këshilli i Ministrave tek Asambleja Parlamentare, e cila më pas do të verifikojë nëse Kosova ka përmbushur standardet dhe kushtet e kërkuara.

Ndërsa e ka falënderuar përzemërsisht ministrin Billström, për mënyrën se si shteti i Suedisë e ka pranuar dhe trajtuar me shumë korrektësi kërkesën e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ajo ka theksuar se Kosova është e ndërgjegjshme që ky është një proces i gjatë dhe plot sfida.

Ndërsa ministri i Jashtëm suedez, z. Billström e ka falënderuar ministren Gërvalla për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë, duke thënë se është i lumtur për progresin që ka arritur Kosova në shumë fusha.

Ai u shpreh para gazetarëve se për presidencën e Suedisë, vendet e Ballkanit janë prioritet në agjendën e tyre në BE.

Ai përgëzuar Kosovën gjithashtu për arritjen e marrëveshjes së Ohrit, duke thënë se kjo do të ndihmojë dialogun me Serbinë.

Të dy ministrat kanë biseduar edhe për bashkëpunimin ekonomik mes shteteve, duke e konsideruar të rëndësishëm konkretizimin e fushave të bashkëpunimit, dhe gjithashtu vlerësuan se mërgata shqiptare në Suedi luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes dy vendeve.

Lajmet e tjera

|