Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Austrisë, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Austrisë, z. Alexander Schallenberg, zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të institucioneve austriake.
Në vizitën e saj zyrtare në Austri ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e takoi kryetarin e Parlamentit të Austrisë z. Wolfgang Sobotka, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Austrisë.
Në takim ministrja Gërvalla-Schwarz e theksoi përkushtimin e vendit për t’i realizuar aspiratat euro-atlantike dhe përcaktimin properëndimor të Republikës së Kosovës.








Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e informoi kryetarin e Parlamentit të Austrisë për reformat e ndërmarra në Republikën e Kosovës dhe për aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Temë e takimit po ashtu ishte prania e mërgatës kosovare në Austri, një urë lidhëse kulturore, ekonomike dhe tregtare mes dy republikave mike.
Ministrja Gërvalla-Schwarz në librin e përshtypjeve në Parlamentin e Austrisë i është falënderuar këtij shteti për ndihmën e dhënë ndaj Republikës së Kosovës.