Në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla denoncoi përfshirjen e strukturave të regjimit të Vuçiqit në nxitjen e dhunës, krimit të organizuar dhe propagandës kundër Kosovës.
Ajo theksoi se Ministri i Jashtëm aktual i Serbisë, Marko Gjuriq, është bashkëpunëtor i afërt i kriminelëve që organizuan sulmin në Banjskë. “Pas agresionit paramilitar, ai u ul për kafe me mikun e tij, vrasësin Radoiçiq. Kjo është pamja e vërtetë e politikës serbe,” deklaroi ministrja Gërvalla.
Ministrja Gërvalla po ashtu shtoi se Kosova, përkundrazi, ka luftuar me sukses ndikimin e krimit të organizuar dhe ka çliruar qytetarët e saj serbë nga kapja e strukturave kriminale të kontrolluara nga Beogradi.
“Asnjë nga këto nuk gjendet në raportet e UNMIK-ut, të cilat shpesh janë të njëanshme dhe anashkalojnë faktet bazike,” theksoi ajo, duke kërkuar nga OKB-ja një vështrim të drejtë e të paanshëm mbi realitetin në terren.