Në takimin e përbashkët midis znj. Donika Gërvalla, Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Republikën e Kosovës dhe delegacionit të Finlandës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u diskutua mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe situatën aktuale në Kosovë dhe rajon.
Gjatë bisedës, Ministrja Gërvalla shprehu mirënjohje për mbështetjen e Finlandës në integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike dhe theksoi me vendosmëri se Kosova e ka vendin në Këshillin e Evropës dhe është gati për të vazhduar fazat vijuese të anëtarësimit.
Gjatë takimit, në fokus ishin po ashtu sfidat e vazhdueshme të Kosovës kundrejt tentativave të njëpasnjëshme të Serbisë për destabilizim, duke përfshirë edhe sulmet e fundit terroriste të datës 24 shtator në Banjskë, i cili përgjatë hetimeve rezultoi se ishte udhëhequr nga ish-kryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, si dhe i koordinuar dhe i financuar drejtpërdrejtë nga shteti serb dhe presidenti Vuçiq.
Ndër të tjera, u bisedua rreth koordinimit të autoriteteve të Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in, rolin e NATO-s, si faktor kyç për stabilitetin në rajon dhe aspiratat e Kosovës për t’u bërë anëtare e saj.