Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Nju Jork, zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Mikronezisë, z. Lorin S. Robert.
Ministrja Gërvalla dhe Ministri Robert, vlerësuan marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Mikronezisë dhe shprehën vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh. U theksua rëndësia e institucionalizimit të dialogut përmes mbajtjes së Konsultimeve Politike, mbështetjes së ndërsjellë në organizata ndërkombëtare, si dhe zhvillimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme si turizmi, ekonomia, arsimi, rinia dhe shkëmbimi i përvojave mbi diasporën.
Gjatë takimit, dy ministrat vëmendje i kushtuan edhe çështjes së ndryshimeve klimatike si sfidë globale, me fokus tek pasojat e rënda që këto sjellin për popullin e Mikronezisë.
“Republika e Kosovës qëndron pranë Mikronezisë në përballjen me sfidat që sjell ndryshimi klimatik dhe është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet ndërkombëtare përmes politikave për ndryshimet klimatike dhe ngrohjes globale”, theksoi Ministrja Gërvalla.