Në vazhdën e takimeve gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), delegacioni i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, u takua me delegacionin e Lihtenshtajnit, i udhëhequr nga znj. Franziska Hoop.
Gjatë diskutimeve rreth anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) dhe mbështetjes që vendet partnere si Lihtenshtajni ofrojnë për këtë proces, delegacioni i Kosovës përcolli rëndësinë e të drejtave të komuniteteve pakicë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në Kosovë. Në fokus ishte edhe situata e fundit në komunat veriore të Kosovës si pasojë e agresionit të hapur serb të 24 shtatorit.
Në vazhdim u theksua roli i Lihtenshtajnit në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe konsultimet politike me Lihtenshtajnin, të udhëhequra nga Zëvendësministri Ahmeti, pak ditë më parë.