Një ditë pas miratimit të liberalizimit të vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian, gjatë ditës së sotme u realizua ceremonia e nënshkrimit të aktit ligjor për liberalizimin e vizave si hap final i këtij procesi.
Nënshkrimi i aktit ligjor që zyrtarizon heqjen e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës për udhëtim në vendet e Schengenit u realizua nga Presidentja e Parlamentit Evropian, znj. Roberta Metsola dhe Ministrja për Evropë e Suedisë znj. Jessika Roswall, si kryesuese e radhës e BE-së.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, z.Besnik Bislimi, Zëvendëskryeministrja njëherit Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Donika Gërvalla – Schwarz, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës z. Kreshnik Ahmeti dhe anëtarë të tjerë shoqërues të delegacionit nga pala kosovare.
Po ashtu të pranishëm ishin edhe kryetari i Komisionit të PE-së për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), eurodeputeti spanjoll, z. Juan Fernando López Aguilar dhe Raportuesi për çështjen e vizave për Kosovën, eurodeputeti holandez z. Thijs Reuten.
Përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, që hyn në fuqi më 1 janar 2024, të gjithë të pranishmit e cilësuan si moment tejet të rëndësishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj në rrugëtimin e tyre drejt integrimit në BE.